Siguria e pasagjerëve, në duart e të dyshuarit për keqpërdorim të detyrës zyrtare – LIMAK shkëput kontratën e mirëmbajtjes së skanerëve të sigurisë!

1.23mijëShikime

Kompania turke LIMAK e cila menaxhon me Aeroportin Ndërkombëtar të Kosovës ka shkëputur kontratën me kompaninë “KING ICT” e cila nga LIMAK ishte kontraktuar për mirëmbajtjen e pajisjeve të sigurisë brenda Aeroportit të Prishtinës. Por pas mos përmbajtjes së kontratës nga ana e LIMAK, KING ICT kishte pezulluar gjitha punët të cilat i kishte të parapara sipas kontratës me LIMAK deri në shlyerjen e borxhit që LIMAK kishte ndaj kompanisë “KING ICT”.

Mirëpo siç duket LIMAK nuk ka ndërmend të shlyej borxhin pasi që kjo e fundit ka ndërprerë kontratën e kompaninë “KING ICT”. Si rrjedhojë e kësaj ndërprerje, nga data 11 maj 2021, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës nuk do të ketë më kompani të licencuar e cila do të bëjë mirëmbajtjen e pajisjeve të sigurisë.

E gjithë siguria e Aeroportit do të varet nga Martin Alekov, person ky i cili tash e një vit ndiqet nga organet e rendit nën akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Për punonjësin Martin Alekov, MPB-ja kishte rekomanduar Aeroportin e Prishtinës, konkretisht drejtorin e këtij institucioni zotëri Haldun Firat Kokturk, që ti ndalohej qasja në të gjitha zonat e sigurisë brenda Aeroportit të Prishtinës.

Ndërsa, Martin Alekov përveç që nuk i është ndaluar qasja, atij së fundmi  i është vazhduar edhe kartela e cila i jep qasje në të gjitha zonat e sigurisë së lartë brenda Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.

Pra, nga data 11 maj 2021, siguria e gjithë pasagjerëve, ekuipazhit dhe e gjithë stafit të Aeroportit do të kaloj në menaxhim të një personi i cili është duke u hetuar për vepër penale dhe i cili nuk ka trajnimet dhe as certifikimet adekuate për të menaxhuar me një pikë kaq të ndjeshme siç është siguria e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.