Bislimi: Raporti i progresit ka pasaktësi

57Shikime

Zëvendëskryeministri i vendit, Besnik Bislimi, ka deklaruar se Raporti i progresit përmban pasaktësi dhe se në disa raste ka pasur “absorbim të informacioneve”.

Në tryezën e organizuar për diskutim, Bislimi deklaroi se në këtë Raport rekomandohet aprovimi i Kodit të Procedurës Penale, megjithëse i njëjti është kryer në muajin shtator.

“Kjo vlen edhe për shifrat e zhvillimit ekonomik edhe për të hyrat buxhetore. Por edhe për statistikat që kanë të bëjnë me procesin e vaksinimit. Në Raportin e progresit përmendet marrëveshja e 30 shtatorit për targat, që nënkupton se me pak bashkëpunim kemi mundur t’i përfshijmë të gjitha të dhënat deri më 30 shtator”, tha ai.

Demush Shala nga Instituti EPIK ka thënë se gjithçka varet nga Kosova në rrugën drejt bashkimit Evropian, dhe nëse vendi është serioz, këto reforma do të përshpejtohen.

“Nëse na nevojiten 38 vote për të qenë anëtarë të BE së me kaq pak vullnet politik imagjinojeni sa shpejt mund të shkojmë nëse kemi vullnet politik. Gjithçka varet nga ne. Nëse jemi serioz këto reforma do të përshpejtohen. Në kuadër të kapitujve që janë të rëndësisë më të veçantë për qytetarët Kosova është e fundit në Ballkan. Gjendja alarmante në ato fusha nuk i pengon askujt në BE por na pengon neve këtu”, tha ai.

Udhëheqësi i IKD-së, Ehat Miftaraj, deklaroi se gabimi kryesor i kësaj qeverie është mosndarja e prioriteteve.

“Zv.kryeministri tha që është një gabim sa i përket miratimit të Kodit të Procedurës Penal. Nuk është gabim zv.kryeministër pasi Kodi konsiderohet që është i miratuar kur kalon dy shqyrtimet, miratohet në Kuvend e dekretohet nga presidentja.”