A duhet të rihapet Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”?

3.22mijëShikime

Po bëhen një javë që nga data kur ishte paraparë të rihapej dhe të rifillonin fluturimet nga Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari”!

Rifillimi i fluturimeve pas mbylljes së përkohshme të Aeroportit si pasojë e pandemisë COVID-19 është bërë pjesë e politikave ditore të klasës politike në vend, duke pamundësuar kështu hapjen e kufijve ajror dhe fillimin e fluturimeve pas një periudhe gati tre mujore.

Hapja e Aeroportit të vetëm në Kosovë, ai “Adem Jashari” ishe paraparë të hapej në fazën e tretë të lirimit të masave nga Qeveria Kurti, por që pas rrëzimit të kësaj qeverie, qeveria e re ndryshoj rregullat e lirimit të masave, duke lejuar bizneset e gastronomisë dhe lejimin e lëvizjes së lirë 24 orë, por asnjë informacion nuk u dha se kur do të lejohet të rifillojnë fluturimet, ani pse drejtuesit e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” kishin deklaruar se ishin marrë masat e nevojshme sipas rekomandimeve të OBSH-së për parandalimin e pandemisë COVID-19.

Si pasojë e këtyre politikave ditore, të vetmit që do të pësojnë janë diaspora e Kosovës dhe një pjesë e qytetarëve të cilët presin hapjen e Aeroportit për të vizituar më të dashurit e tyre.

Dhjetëra fluturime ishin realizuar me qëllim riatdhesimin që nga marsi, ndërsa tani me urdhër të Ministrisë së Infrastrukturës dhe me rekomandim të Ministrisë së Shëndetësisë janë pezulluar të gjitha fluturimet duke lënë të bllokuar me qindra Kosovarë në vendet evropiane.

Ndërsa si pasojë e situatës së krijuar, shumë agjenci udhëtimi po e shfrytëzojnë rastin që të mashtrojnë me qindra pasagjer duke ju shitur bileta dhe pastaj duke ju anuluar fluturimet e tyre, ndërsa paratë e paguara nuk po ju kthehen atyre pasagjerëve, duke lënë vend për një hetim nga Prokuroria dhe Policia e Kosovës.

Rihapja e Aeroportit dhe masat e nevojshme

Hapja e Aeroportit duhet patjetër të bëhet sa më shpejtë që është e mundur, por, sigurisht duke pasur edhe masa shtesë për parandalimin e pandemisë COVID-19, e njëra nga këto masa do të duhej të ishte edhe reduktimi i fluturimeve të cilat do të operoheshin nga Aeroporti “Adem Jashari”.

Ministria e Infrastrukturës do të duhej që të merrte vendim që aeroporti të operonte vetëm me 40% deri 50% të kapacitetit, duke evituar kështu një shpërthim të ri të infeksionit dhe të mundësonte një kontrolle më të madhe të pasagjerëve të cilët mund të jenë të infektuar me virusin COVID-19.

Ndërsa pezullimi i përkohshëm i fluturimeve nga shtetet si Turqia, reduktimi i fluturimeve nga Austria është esenciale për të parandaluar pandeminë. Me qenë se fluturimet nga Turqia dhe Austria janë urë lidhëse për fluturimet “Conection”, kontrollimi i pasagjerëve do të ishte shumë më i vështirë, ndërsa identifikimi i vendeve nga të cilët ata vijnë është pothuajse i pamundur.