Szunyog: Rruga drejt BE-së bëhet përmes reformave në sundimin e ligjit

53Shikime

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka deklaruar për Raportin e progresit se është rezultat i një vlerësimi të drejt, duke ndjekur metodologjinë e të gjitha vendeve.

Në tryezën e organizuar “Raporti i BE-së për Kosovën”, Szunyog tha se drejt BE-së nuk ka rrugë të shpejt dhe se me patjetër duhen reformat në sundimit e ligjit dhe luftimin e krimit të organizuar e korrupsionit.

“Në përgjigjen ndaj pandemisë gjatë COVID-19 progresi ka qenë i limituar. Edhe një progres i limituar është ende një progres i arritur. Zgjedhjet parlamentare 2021 kanë qenë mirë të organizuara, transparente por korniza për zgjedhjeve duhet të adresojë mangësitë. Kosova nuk ka bërë arritje për progres në administratën publike. Ne kemi vërejtur iniciativat e Qeverisë dhe i inkurajojmë këto reforma”, ka thënë ai.

Shefi i BE-së në Kosovë theksoi se vettingu duhet të konsiderohet vetëm si një masë e jashtëzakonshme, kur shfrytëzohen të gjithë mekanizmat e tjerë.

“Ka pasur progres të limituar sa i përket kulturës dhe edukimit. BE-ja do të vazhdojë të mbështetës Kosovën kur ka përkushtim për të bërë progres. Qeveria ka një shumicë në Kuvend dhe një bazë për reforma afatgjate dhe afatmesme.”

E kryetarja e Komisionit për Integrim Evropian, Rrezarta Krasniqi, deklaroi se anëtarësimi në BE është synim strategjik i Kosovës.

“Viteve të fundit Kosova ka bërë progres në rrugën tonë integruese. Sa i përket liberalizimit të vizave unë mendoj që jemi në stadin e fundit të këtij rrugëtimi të gjatë. Raporti duhet të shërbejë si udhërrëfyes për jetën e qytetarëve.”

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se Raporti i progresit dallon në dy gjashtëmujorët, gjegjësisht gjatë Qeverisë Hoti dhe Kurti, derisa shtoi se konteksti kosovar ka ndikuar që të diskutohet për një problematikë që rrjedh nga metodologjia raportuese.

“Raporti flet për mungesë të shumicës parlamentare dhe polarizim politik. Kjo shihet që flet për pjesën e parë se në gjashtëmujorin e dytë ka shumicë parlamentare, nuk ka fare polarizim politik, ka bashkëpunim mes institucioneve.

“Kemi një situatë në gjashtëmujorin e fundit, i cili nuk mund të përshkruhet me këtë fjali që mund ta hasim në Raportin e progresit.”