Një grua gjatë muajit shtator të këtij viti kishte marrë mesazhe të shumta provokuese me qëllim të ngacmimit nga ana e një të dyshuari, i cili është zyrtar policor në Gjakovë.
Prokuroria në Gjakovë, ka njoftuar se gjatë ditës së sotme ngritur aktakuzë ndaj policit me inicialet P. P., për shkak se i njëjti po dyshohet se ka kryer veprën penale të ngacmimit ndaj një gruaje me inicialet R. S.
Sipas prokurorisë, në periudhën 13 dhe 14 shtator të këtij viti polici dyshohet se ishte përfshirë në sjellje të padëshirueshme, me qëllim të ngacmimit, duke i sjellë shqetësime emocionale të dëmtuarës R. S transmeton KALLXO.com.
Prokuroria ka treguar tutje se para se të fillonte ngacmimi, e dëmtuara me vajzën e saj kishin raportuar një rast në stacion policor, ndërsa pasi e njëjta kishte shkuar në shtëpi, polici dyshohet se i kishte dërguar mesazhe të ndryshme provokuese.
Polici i dyshuar sipas prokurorisë e kishte intervistuar të dëmtuarën kur kishte raportuar rastin e saj në polici.
“Më pas, në orët e para të mëngjesit i pandehuri, shkon në shtëpinë e të dëmtuarës, por kur sheh brenda edhe motrën e saj, thotë se ka shkuar të marr një thikë, si provë lidhur me rastin paraprak të raportuar nga e dëmtuara”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.