Alt: Për ta parandaluar “Republika Srpskan” në veri, Kosova duhet të marrë më shumë përgjegjësi për serbët e saj

59Shikime

Deputetja e Bundestagut nga radhët e FDP-së, Renata Alt, në një intervistë ekskluzive për Gazetën Express ka folur për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi, punën e Asociacionit të Komunave Serbe dhe për liberalizimin e vizave.

Për marrëveshjen finale, Alt thotë se duket larg bazuar në gjendjen aktuale dhe deklarimet e bëra nga Vuçiq. Teksa flet për Asociacionin e Komunave Serbe thotë se për të shmangur skenarin e “Republika Srpskas” në Bosnje e Hercegovinë, institucionet e Kosovës duhet të marrin më shumë përgjegjësi për komunitetin serb, duke bërë më shumë për ta në fushën e arsimit dhe shëndetësisë. Në fund, deputetja gjermane thotë se s’duket logjik mosliberalizimi i vizave nga institucionet e Bashkimit Evropian, duke pasur parasysh faktin se që nga 2018-a është konstatuar se Kosova ka plotësuar kushtet për heqje të regjimit të vizave.

Gazeta Express: Bazuar në situatën aktuale, a mendoni se do të kemi një marrëveshje finale së shpejti?

Renata Alt: Fatkeqësisht, zhvillimet e fundit nuk japin shumë besim, por unë jam me shpresë që një marrëveshje do të arrihet në një periudhë afatgjate. Megjithatë fakti se marrëveshjet mbi të cilat të dy palët kanë rënë dakord janë vënë në pikëpyetje apo nuk janë zbatuar nuk është i dobishëm për të lëvizur drejt një marrëveshjeje të hershme.

Gazeta Express: A mendoni se njohja reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë produkt i një marrëveshje finale?

Renata Alt: Kjo do të ishte e dëshirueshme, por duket e pamundur për momentin, kur merren parasysh qëndrimet e bëra nga Presidenti i Serbisë, Vuçiq, në maj. Njëkohësisht, ne duhet të punojmë për të siguruar që Kosova të njihet përfundimisht si shtet nga të gjitha shtetet e BE’së. Fatkeqësisht, s’ka unitet në këtë çështje as brenda BE’së.

Gazeta Express: Cili është qëndrimi juaj për Asociacionin e Komunave Serbe. A e shihni si lëvizje të rrezikshme që do të çonte Kosovën drejt problemeve me të cilat po përballet Bosnja sot?

Renata Alt: Serbia dhe Kosova tashmë janë dakorduar në vitin 2013 për themelimin e Asociacionit të Komunave gjysmë-autonom për minoritetin serb, gjë që është ratifikuar me 2/3 në Parlamentin e Kosovës. Është legjitime të shtrohet pyetje nëse ky model është i favorshëm për legjitimetin e institucioneve të vendit dhe besimit në mes të Komunave. Për të parandaluar një skenar të ngjashëm me atë në Republika Srpska në veri të Kosovës, do të ishte e rëndësishme për shtetin e Kosovës që të marrë më shumë përgjegjësi për shtetasit e saj serbë, për shembull në fusha të rëndësishme shoqërore, të tilla si shëndetësia dhe arsimi, të cilat aktualisht trajtohen kryesisht nga të ashtuquajturat “struktura paralele”. Nëse Kosova e sheh këtë si një mundësi, gjithashtu mund të jetë në gjendje të negociojë me më shumë komoditet për implementimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, në vend të rritjes së tensioneve dhe ndarjeve si pasojë e mungesës së progresit në implementimin e Asociacionit. Lidhjet afatgjata me qeverinë qendrore në Prishtinë do të jenë gjithashtu të rëndësishme në këtë kontekst.

Gazeta Express: Procesi i liberalizimit të vizave, a po trajtohen kosovarët padrejtësisht?

Renata Alt: Kosovarët janë shtetasit e vetëm të Ballkanit Perëndimor që kanë ende nevojë për një vizë për të hyrë në zonën Shengen. Kjo nuk duket logjike në dritën e faktit se Komisioni – me mbështetjen e Parlamentit – ka konfirmuar disa herë që nga korriku i vitit 2018 se Kosova i përmbush të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave. Fakti që kjo është premtuar për kaq gjatë dhe Këshilli refuzon ta japë dritën e gjelbër e shton zhgënjimin në anën e Kosovës dhe mosbesimin ndaj BE-së. Ajo gjithashtu nuk e forcon besueshmërinë e BE-së në rajon./GazetaExpress/