Ekskluzive – Raporti – Cënohet siguria kombëtare në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”

1.81mijëShikime

Më 19 gusht 2019, gjatë një greve që po mbante Sindikata e Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari”, ka ndodhur një incident i rëndë i sigurisë, ku me këtë rast është cenuar Siguria Kombëtare e Kosovës dhe e disa vendeve tjera të Bashkimit Evropian.

Më 19 gusht 2019, ishte paralajmëruar një grevë nga Sindikata e Punëtorëve të Aeroportit të Prishtinës nga ora 08:00 deri në ora 09:00. Kompania turke LIMAK Kosovo, duke tentuar të mos bllokoj punën për kompanitë ajrore komerciale, ka bërë një varg shkeljesh në siguri duke rrezikuar kështu jetën e qindra udhëtarëve dhe duke rrezikuar edhe vende të tjera të Bashkimit Evropian.

Me qenë se operatorët e pikës më të ndjeshme të Aeroportit X-RAY ishin në grevë, dhe pajisjet ishin ndaluar së funksionuari për shkaqe sigurie, ndërsa një punëtor i shërbimit të mirëmbajtjes së pajisjeve të sigurisë me emrin Martin Biserov Alekov ka shkuar në pjesën e kontrollit të bagazheve dhe i njëjti ka aktivizuar pajisjen e skanimit rezervë (Back Up) ku i njëjti ka filluar ti lëshoj valixhet pa u kontrolluar fare nga operatori i licencuar nga Ministria e Punëve të Brendshme. Me qenë se skaneri është automatik, ai i kishte ndarë me dhjetëra valixhe të dyshimta për tu kontrolluar në nivelin 2 të sigurisë.

Sipas një raporti të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Divizioni për Siguri të Aviacionit Civil i cili udhëhiqet nga zyrtari i kësaj ministrie Kastriot Gashi, pajisja e skanimit është aktivizuar tre herë nga i njëjti person, por në të tre rastet, kur operatori i licencuar nga Ministria e Punëve të Brendshme për skanerin X-RAY kishte vërejtur se pajisja e skanimit ishte aktivizuar nga personi i pa autorizuar, kishte intervenuar duke e ndaluar atë, ani pse i njëjti ishte në grevë.

Në rastin në fjalë, nuk kishte ndërmarrë asnjë masë shefi i sigurimit dhe as udhëheqësi i ndërrimit.

Përkundrazi, shefi i ngarkimit kishte ngarkuar të gjitha këto valixhe duke përdorur “LOGIN” të punëtorëve të cilët nuk ishin fare në orarin e punës, por edhe me “LOGIN” të tij personal.

Ndërsa, valixhet të cilat sistemi i skanimit kishte ndarë për tu kontrolluar në nivelin 2 të sigurisë, e që në raport konsiderohen si valixhe të dyshimta, pasi që skaneri kishte ndarë ato për tu kontrolluar sepse ishin të dyshimta për materiale të rrezikshme apo eksploziv, punonjësi Martin Biserov Alekov ka shmangur kontrollin e këtyre valixheve duke ngarkuar në aeroplan pa u kontrolluar fare.

Në raportin në fjalë, i rekomandohet menaxhmentit të LIMAK që ti ndalohet qasja e punëtorit Alekov në zonat e sigurisë pasi i njëjti ka keqpërdorur pozitën dhe autoritetin e tij për të kaluar këto valixhe pa u kontrolluar fare, mirëpo LIMAK ka refuzuar të përmbush rekomandimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, dhe nuk ka ndaluar qasjen e Alekov në zonat e sigurisë në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”

Gazeta Aerokos ka drejtuar disa pyetje menaxhmentit të LIMAK, mirëpo përmes zyrtares për informim znj. Valentina Gara, ata janë përgjigjur se rasti është subjekt i gjykatës dhe nuk mund të japin më shumë detaje.

Po ashtu portali ka drejtuar pyetje edhe udhëheqësit të Divizionit për Siguri të Aviacionit Civil zotëri Kastriot Gashit, mirëpo i njëjti nuk ka dashur të komentoj rastin duke pretenduar se raporti është dokument i klasifikuar dhe nuk mund të jap më shumë informacione.

Raporti i bërë nga zotëri Gashi nuk do duhej të klasifikohej pasi i njëjti përmban shkelje dhe vepra penale, e që sipas ligjit është i ndaluar klasifikimi i dokumenteve në të cilat ka vepra penale apo shkelje të tjera.

Portali Aerokos ka siguruar edhe dëshmi se në këtë rast është i përfshirë edhe menaxheri i ngarkimi V.H i cili gjatë kohës së grevës po ngarkonte valixhet të cilat nuk kishin kaluar nëpër procedurat e sigurisë, dokumente të cilat do ti publikoj në ditët në vazhdim.